Monday, October 27, 2025

Articles by Xh M

16 articles found

Ndahet nga jeta analisti dhe publicisti, Agim Jonuz
Technology

Ndahet nga jeta analisti dhe publicisti, Agim Jonuz

Shkup, 25 tetor – Pas një sëmundjeje të shkurtër, ka ndërruar jetë analisti dhe publicisti i njohur nga Shkupi, Agim Jonuz, një nga zërat më të veçantë të jetës publike në Maqedoninë e Veriut, i njohur për analizat e tij politike, debatet publike dhe qëndrimet e drejtpërdrejta për zhvillimet në vend dhe rajon, shkruan gazeta KOHA. Agim Jonuz ishte figurë e njohur për publikun e gjerë si analist politik, publicist dhe ish-zëdhënës qeverie, i cili shpesh është angazhuar në çështje që lidhen me identitetin, marrëdhëniet ndëretnike dhe proceset integruese të vendit. Në komentet dhe intervistat e tij, Jonuz ka qenë kritik ndaj politikave përjashtuese dhe ka bërë thirrje për bashkëjetesë, respekt të ndërsjellë dhe një shtet të barabartë për të gjithë qytetarët. Agim Jonuz lindi dhe u rrit në Shkup, ku e zhvilloi edhe pjesën më të madhe të jetës profesionale. Ai ka qenë për shumë vite i angazhuar në sektorin publik dhe privat, ndërsa ka ushtruar detyrën e zëdhënësit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në periudha të ndryshme, ku është vlerësuar për qasjen profesionale dhe komunikimin e qartë me opinionin publik. Në sferën e biznesit, ai ishte drejtor ekzekutiv i kompanisë “VIA Group Defence”, me veprimtari në Shkup, Ankara dhe Lindjen e Mesme, ndërsa njëkohësisht ishte këshilltar dhe konsulent në fusha të ndryshme ekonomike dhe të sigurisë. Si analist politik, Jonuz ishte i pranishëm në shumë debatet televizive dhe forume publike, ku komentonte zhvillimet politike në vend, marrëdhëniet mes komuniteteve etnike dhe rrugën euro-integruese të Maqedonisë së Veriut. Ai njihej për stilin e tij të drejtpërdrejtë, shpesh provokues, por gjithmonë i motivuar nga dëshira për përmirësim shoqëror dhe institucional. Në një nga deklaratat e tij të njohura, Jonuz kishte thënë se “jam shqiptar nga Maqedonia, dhe kjo është pasuri, jo ndarje”, duke theksuar rëndësinë e identitetit të dyfishtë dhe tolerancës në një shoqëri multietnike.

Mexhiti: Çdo lagje e Çairit po merr pamje të re, Dizhoni tashmë me infrastrukturë moderne
Technology

Mexhiti: Çdo lagje e Çairit po merr pamje të re, Dizhoni tashmë me infrastrukturë moderne

Shkup, 25 tetor – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili më 19 tetor shënoi një fitore bindëse, ka vazhduar me ritmin e investimeve në çdo lagje të komunës. Mexhiti ka bërë të ditur se projekti i radhës që po përfundon është ai në lagjen Dizhon, ku rruga “Halim Halimiq” tashmë është asfaltuar dhe është vënë në përdorim. “Sot ishim në Dizhon dhe pamë nga afër rrugën ‘Halim Halimiq’, e cila tashmë është asfaltuar dhe është vënë në përdorim. Ky investim përfshin kanalizimin dhe rrjetin e ri të ujësjellësit, tashmë plotësisht funksional. Një punë e kryer me standard, që i jep Dizhonit infrastrukturën që e ka merituar prej kohësh,” ka shkruar Mexhiti. Mexhiti ka falënderuar banorët e Dizhonit për durimin dhe bashkëpunimin si dhe ekipet që punuan me përkushtim për ta realizuar këtë projekt. “Projektet po përfundojnë një nga një dhe rezultatet po duken qartë në çdo lagje të Çairit. Urime Dizhon!”, ka përfunduar kryetari Mexhiti, duke e cilësuar këtë investim si një tjetër dëshmi të përkushtimit të ekipit të tij ndaj zhvillimit urban të Çairit.

Orari dimëror me 10 linja të reja ajrore nga Shkupi dhe Ohri, hapen fluturime drejt Madridit, Barit, Pragës dhe Këlnit
Technology

Orari dimëror me 10 linja të reja ajrore nga Shkupi dhe Ohri, hapen fluturime drejt Madridit, Barit, Pragës dhe Këlnit

Shkup, 25 tetor – Nga fundjava fillon orari dimëror i fluturimeve për sezonin 2025/26. Nga aeroporti i Shkupit do të operojnë fluturime drejt 49 destinacioneve të rregullta, të cilat do t’i shërbejnë 17 kompanitë ajrore, si dhe 13 linja charter. Nga aeroporti i Ohrit janë planifikuar pesë linja të rregullta. Në sezonin dimëror shtohen 10 destinacione të reja, nga të cilat nëntë do t’i operojë Wizz Air me subvencione qeveritare – përfshirë Madridin, Barin, Pragën, Kölnin, Larnakën dhe Bazelin. Më 3 nëntor, easyJet rikthen linjën për Gjenevë. Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, të dy aeroportet kanë shërbyer 2.58 milion pasagjerë, gjashtë për qind më shumë se vitin e kaluar. Stambolli mbetet destinacioni më i frekuentuar, ndërsa Turqia, Gjermania dhe Zvicra janë tregjet kryesore. TAV Maqedoni njofton negociata për lidhje direkte me Danimarkën, Finlandën dhe Lindjen e Mesme. Mundësi të reja hapen gjithashtu me marrëveshjen për transport ajror të rregullt me Mbretërinë e Bashkuar, e nënshkruar në Londër.

VLEN: Në Studeniçan e mbështesim kandidatin e pavarur Azem Sadiku

VLEN: Në Studeniçan e mbështesim kandidatin e pavarur Azem Sadiku

Shkup, 25 tetor – Koalicioni VLEN njofton se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale do të mbështesë kandidatin e pavarur për kryetar të Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku. Ky vendim është marrë duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve shqiptarë, të shprehur qartë më 19 tetor, kur me NJË ZË thanë “Jo më BDI-së” në shumicën e komunave shqiptare. Bashkë me qytetarët dhe kandidatë që përfaqësojnë sinqerisht interesin publik, do ta çojmë përpara ndryshimin që filloi më 19 tetor në komunat shqiptare.

Erdogan thotë se Turqia është lojtar kyç në të gjitha ekuacionet rajonale
Technology

Erdogan thotë se Turqia është lojtar kyç në të gjitha ekuacionet rajonale

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se asnjë ekuacion politik apo sigurie, nga Siria në Gaza dhe nga Gjiri deri te konflikti Rusi-Ukrainë, nuk mund të formohet pa përfshirjen e Turqisë, raporton Anadolu. Duke folur në sesionin përmbyllës të “Takimeve të Shekullit të Turqisë” në Qendrën e Kongreseve të Stambollit, Erdogan tha se Turqia është bërë “një zë i respektuar si në rajonin e saj, ashtu edhe në nivel global, një vend që eksporton paqe dhe stabilitet”. Ai theksoi se vizioni i Ankarasë është i përqendruar në sigurimin e një të ardhmeje ku “asnjë brez nuk humbet, nënat nuk qajnë dhe paqja, siguria dhe prosperiteti mbizotërojnë në gjithë gjeografinë tonë”. Erdogan shtoi se qëllimi i tyre afatgjatë është të sigurojnë unitetin dhe sigurinë e kombit, duke kontribuuar në një rajon më paqësor. “Me vullnet të përbashkët, së pari do të ndërtojmë një Turqi pa terror, pastaj një rajon pa terror, si trashëgiminë tonë të qëndrueshme për fëmijët e kombit”, tha ai. Ai gjithashtu përsëriti se vendi do të vazhdojë të ndjekë politika të bazuara në stabilitet, bashkëpunim dhe paqe në fqinjësinë e tij dhe më gjerë.

Struga pëson humbjen e parë, Brera triumfon bindshëm

Struga pëson humbjen e parë, Brera triumfon bindshëm

Lideri i renditjes, Struga, ka pësuar humbjen e parë në kampionat, pasi u mposht sot nga Brera me rezultatin bindës 4:2, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 10-të të elitës së futbollit vendor. Për miqtë shënuan Naumçevski, Stojanov dhe dy herë Ncenge, ndërsa golat e Zenkut dhe Bojkut për vendasit patën vlerë vetëm statistikore. Në ndeshjen tjetër të javës, Rabotniçki dhe Makedonija Gjorçe Petrov ndanë pikët pas një barazimi pa gola. Xhiroja e 10-të vazhdon të dielën me duelin Sileksi – Pelisteri, ndërsa do të mbyllet të hënën me derbin e madh Shkëndija – Vardari, që do të zhvillohet në stadiumin e qytetit të Tetovës.

Mickoski: Qytetarët në rrethin e parë votuan për Maqedoninë, në rrethin e dytë dilni edhe më masovikisht
Technology

Mickoski: Qytetarët në rrethin e parë votuan për Maqedoninë, në rrethin e dytë dilni edhe më masovikisht

Shkup, 25 tetor – Rezultatet nga rrethi i parë të zgjedhjeve lokale qartë tregojnë se qytetarët e kanë zgjedhur VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin si opsion të vetin, porositi sot kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në komunën e Lozovës në kuadër të fushatës zgjedhore, duke u bërë thirrje qytetarëve për përkrahje në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. Mickoski ka shprehur përkrahje për kandidatin dhe kryetarin aktual të komunës së Lozovës, Boshko Cvetkovski, për të cilin tha se është “njeri i ri punëtor, person i shkëlqyeshëm dhe maqedonas i madh”. Ai shtoi se Cvetkovski e ka përkrahjen e tij të madhe, si dhe përkrahjen e Qeverisë, me të cilën, siç tha, do të realizohen projekte në komunë. “Për këtë shkak, dua qartë të bëjë me dije se e ka përkrahjen time personale, të padyshimtë dhe po ashtu e ka përkrahjen e Qeverisë, me të cilën së bashku me komunën e Lozovës do të bëjmë shumë projekte këtu. Ashtu që, unë jam i bindur se Boshko jo vetëm se është kryetar i mirë dhe i suskesshëm i komunës, por i sigurtë jam se do të jetë i mirë edhe më i suksesshëm në katër vitet e ardhshme”, tha Mickoski. Sipas tij, partia tanimë ka siguruar fitore në 33 komuna, ndërsa edhe në 26 është në epërsi ose afër fitores. “Pres që në fund të këtyre zgjedhjeve, VMRO-DPMNE-ja dhe Koalicioni të kenë 59 kryetarë komunash”, tha ai, duke shtuar se në 58 komuna koalicioni fitoi edhe në listat e këshillave, duke siguruar shumicën në këshilla. Mickoski u bëri thirrje qytetarëve të dalin në numër sa më të madh në raundin e dytë, duke theksuar se zgjedhja është e qartë, mbështetje për koalicionin e udhëhequr nga VMRO-DPMNE ose, siç tha ai, një kthim në koalicionin që “shtatë vite e grabiti dhe poshtëroi Maqedoninë”. “Opsioni i dytë është opsioni që është, praktikisht, koalicion që ishte qeveri deri para një vit e gjysmë, e paraprakisht, për shtatë vjet, e grabiti Maqedoninë, e shiti dhe e poshtëroi Maqedoninë dhe i grabiti qytetarët e saj. Dhe ky opsion nuk ka mbështetjen e qeverisë. Le të votojmë për njeri që ka qenë këtu me ju në Lozovë gjatë gjithë kohës”, tha Mickoski. Si pjesë të aktiviteteve për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, Mickoski sot do të marrë pjesë në tubime në Rosoman, Demir Kapi dhe Negotinë.

Sektorët që paguhen më së shumti

Sektorët që paguhen më së shumti

Në Maqedoninë e Veriut rroga mesatare neto është 45 310 denarë, ndërsa ajo bruto 68 180 denarë. Sektori që paguhet më së shumti është sektori për informim dhe komunikim (82 905 denarë), ndërsa sektori për veprimtaritë financiare dhe të sigurimit (62 668 denarë). Sektori që paguhet më së paku në Maqedoninë e Veriut është sektori për akomodim dhe shërbime ushqimore (33 479 denarë) dhe sektori për bujqësi, pylltari dhe peshkim (35 662 denarë). Krahasuar me vitin e kaluar, rritje më e madhe e rrogës u regjistruar te veprimtaria e mbrojtjes shëndetësore dhe sociale (14.6 %) dhe arsimi (14.5 %).

Kasami: Gara në komunën e Tetovës është e mbyllur, balotazhi vetëm formal
Technology

Kasami: Gara në komunën e Tetovës është e mbyllur, balotazhi vetëm formal

Tetovë, 21 tetor – Kandidati për komunën e Tetovës nga koalicioni VLEN, Bilall Kasami, ka deklaruar se gara për këtë komunë tashmë është e mbyllur dhe se balotazhi do të jetë vetëm një formalitet. Kasami e ka arsyetuar këtë qëndrim me faktin se në raundin e parë ka pasur mbi 2,400 vota të pavlefshme, të cilat sipas tij nuk do të llogariten në balotazh. “Në raundin e parë ka pasur mbi 2,400 vota të pavlefshme. Kjo është për shkak se një pjesë e komunitetit maqedonas, për shkak të baltosjes së figurës së tij, nuk kanë qenë të gatshëm të votojnë për të. Megjithatë, ata janë detyruar të dalin dhe të votojnë për listën për këshilltarë, dhe duke ditur se duhet të marrin edhe listën për kryetar, vota e tyre është bërë e pavlefshme. Në balotazh këto vota nuk njihen, nuk numërohen dhe nuk llogariten, ndaj ai vlerëson se gara në Tetovë në realitet është e mbyllur, edhe pse formalisht do të zhvillohet balotazhi”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit”.

Mexhiti për Euronews: Shqiptarët e RMV-së nuk janë më të përçarë në shumë parti siç propagandon Ali Ahmeti
Technology

Mexhiti për Euronews: Shqiptarët e RMV-së nuk janë më të përçarë në shumë parti siç propagandon Ali Ahmeti

Shkup, 21 tetor – Në një intervistë ekskluzive për “Euronews Albania” me gazetarin Thimi Samarxhiu, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti foli hapur për zhvillimet politike mes koalicionit qeverisës VLEN dhe AKI-së opozitare të Ali Ahmetit. Mexhiti theksoi se shqiptarët nuk janë të ndarë apo të përçarë në dhjetëra parti, siç shpesh propagandon opozita, por se sot ekzistojnë dy subjekte të mëdha, ku vetëm VLEN po tregon me vepra se është në shërbim të qytetarëve. “Jemi munduar të bëjmë fushatë për komunat, për problemet e vërteta të njerëzve. Ndërsa AKI ka humbur kontaktin me realitetin. Për gjithçka kanë folur, por jo për komunat,” ka deklaruar Mexhiti. Mexhiti gjithashtu ka shtuar se qasja e re e VLEN-it po sjell frymë ndryshimi dhe përgjegjësie, duke i dhënë fund politikës së vjetër të propagandës boshe dhe interesave personale të BDI-së. Sipas Mexhitit, qytetarët shqiptarë po e kuptojnë qartë se kush po punon për ta dhe kush po përpiqet të mbijetojë politikisht duke shpikur kriza e konflikte të rreme. “VLEN nuk merret me retorikë, por me punë. Ne flasim me rezultate konkrete në çdo komunë ku qeverisim,” ka përfunduar Mexhiti.

Kaosi me mbeturinat, Mexhiti: Do të mbajnë përgjegjësi BDI, E Majta dhe Danella
Technology

Kaosi me mbeturinat, Mexhiti: Do të mbajnë përgjegjësi BDI, E Majta dhe Danella

Shkup, 21 tetor – Kryetari i ri i Komunës së Çairit nga radhët e VLEN-it, Izet Mexhiti, ka reaguar ndaj kaosit me mbeturinat në të gjithë Qytetin e Shkupit. Në një postim në facebook Mexhiti adresoi kritikat tek tre subjekte, BDI, E Majta dhe kreyetarja aktuale Danella Arsovksa. Mexhiti njoftoi se Qeveria po merr masa të jashtëzakonshme inspektuale, kjo siç shkruan ai për të vërtetuar përgjegjësitë për gjendjen me mbeturinat. Postimi i plotë i Izet Mexhitit Shkupi është katandisur në një gjendje të rëndë të mbeturinave. Rrugët, lagjet dhe hapësirat publike janë lënë pas dore, duke u kthyer në pasqyrë të papërgjegjësisë institucionale. Menaxhimi i mbeturinave komunale në Shkup bëhet përmes ndërmarrjes publike “Higjiena Komunale – Shkup”, e cila aktualisht drejtohet nga koalicioni BDI – Danella – Levica. Këta mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kaosin dhe papastërtinë që ka pushtuar qytetin. Por, ne nuk do të rrimë duarkryq. Të nderuar banorë, ju njoftoj se sot Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka urdhëruar një mbikëqyrje të jashtëzakonshme ndaj mënyrës së mbledhjes dhe transportit të mbeturinave në territorin e Qytetit të Shkupit, për shkak të gjendjes alarmante të krijuar ditëve të fundit. Gjithashtu, Qeveria ka urdhëruar që të bëhet kontroll i detajuar mbi punën e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale – Shkup”, për shkak të mosmbledhjes së rregullt të mbeturinave, e cila po rrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve. Shumë shpejt do të ndërmarrim aksion të plotë për pastrimin e qytetit, sepse qytetarët e Shkupit meritojnë pastërti, dinjitet dhe një administratë që punon për ta.

Lajmi i fundit/ Aksion i madh në Prilep, policia financiare godet spitalin e qytetit, disa të arrestuar

Lajmi i fundit/ Aksion i madh në Prilep, policia financiare godet spitalin e qytetit, disa të arrestuar

Prilep, 21 tetor – Në Prilep është duke u zhvilluar një aksion i gjerë i Policisë Financiare, i cili lidhet me dyshime për keqpërdorime dhe veprimtari kriminale në punën e spitalit të qytetit, njoftojnë burime nga terreni. Sipas informacioneve të siguruara nga “Makfax”, janë arrestuar disa persona që kanë pasur pozita drejtuese në spitalin e Prilepit. Nga Prokuroria Themelore Publike konfirmuan pasditen e sotme se aksioni po zhvillohet me urdhër të tyre. “Po ndërmerren veprime në lidhje me një procedurë që përfshin dyshime për abuzime nga disa persona në menaxhimin e spitalit të Prilepit. Aksioni është në zhvillim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. Më shumë detaje pritet të bëhen të ditura gjatë ditës së nesërme.

Adnan Azizi: Ftoj të gjithë shqiptarët t’i lënë anash ndarjet partiake, t’ia zgjasim dorën njëri tjetrit dhe të jetojmë si vëllezër
Technology

Adnan Azizi: Ftoj të gjithë shqiptarët t’i lënë anash ndarjet partiake, t’ia zgjasim dorën njëri tjetrit dhe të jetojmë si vëllezër

Shkup, 21 tetor – Shefi i shtabit qendror të VLEN-it dhe deputeti, Adnan Azizi, ka falënderuar qytetarët që kanë marrë pjesë në votime, ndërsa i fton të gjithë shqiptarët që t’i lënë anash ndarjet partiake dhe t’ia zgjasin dorën njëri-tjetrit. Ai thotë se këto zgjedhje ishin më korrektet dhe më demokratiket në historinë e Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia. “Të dashur qytetarë, më lejoni të ju falënderoj nga zemra për pjesëmarrjen e madhe në zgjedhjet lokale, vetëdijen e lartë qytetare dhe demokratike të cilën e dëshmuam. Qytetarët dolën të lirë, pa presione, pa shantazhe dhe pa asnjë ekces serioz në ditën e votimit dhe gjatë fushatës. Këto zgjedhje ishin zgjedhjet më korrekte dhe më demokratike në historinë e Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia. Për këtë i përgëzoj të gjithë qytetarët, KSHZ-në, organet e rendit dhe subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje”. “E shfrytëzojmë këtë atmosferë pozitive që t’i ftojmë të gjithë shqiptarët t’i lënë anash ndarjet partiake, t’ia zgjasim dorën njëri tjetrit dhe të jetojmë si vëllezër, pa ndarje partiake. Koalicioni VLEN është mirënjohës për përkrahjen e madhe që na e besuan qytetarët në gjithë vendin. Prej sot, për ne nuk ka “tanët” dhe “tuajt”. Për ne të gjithë shqiptarët janë të njëjtë dhe do të vazhdojmë të punojmë për të gjithë, t’i përfaqësojmë të gjithë qytetarët tanë, si në pushtetin qendror, ashtu edhe në komunat ku jemi fitues”, ka shkruar Azizi. Ai gjithashtu ka përgëzuar AKI-në për fitoret në Likovë dhe Pllasnicë, ndërsa i fton të gjithë shqiptarët të angazhohen për fitoren e VLEN-it në komunat ku janë në balotazh. “Gjithashtu dua t’i përgëzoj konkurruesit tanë politik, AKI-në, për fitoret në Likovë dhe Pllasnicë, dhe për fitoren e përbashkët të shqiptarëve në Çashkë. Edhe një herë, ju faleminderit për përkrahjen, ju faleminderit për qytetarinë dhe vetëdijen e lartë politike që e dëshmuat të dielën. Nga sot u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, të gjithë aktivistëve në terren që të angazhohen për fitoren e madhe të VLEN-it në çdo komunë ku garon në balotazh. Jemi favorit absolut në të gjitha komunat”, ka shkruar Azizi.

Shkullaku: Me rënien e Ali Ahmetit, shqiptarët nuk humbën asnjë të drejtë
Technology

Shkullaku: Me rënien e Ali Ahmetit, shqiptarët nuk humbën asnjë të drejtë

Tiranë, 21 tetor – Gazetari i mirënjohur nga Shqipëria, Armando Shkullaku, gjatë një debati në Syri TV te Çim Peka bashkë me kryetarin e Tetovës Bilall Kasami, deklaroi se nuk është e vërtetë propaganda që po bëhet se pas rënies rënies së Ali Ahmetit, shqiptarët paskan humbur ndonjë të drejtë etnike. Ai tha se përkundër faktit se VMRO DPMNE-ja ka shumicë absolute në Kuvend, shqiptarët nuk kanë humbur asnjë të drejtë. “Unë nuk ju besoj këtyre teorive se me ikjen e Ali Ahmetit shqiptarët humbën disa të drejta, etj”, tha Shkullaku.

Zëdhënësja Venera Azizi: Mbeturinat në Shkup, i bëjmë thirrje institucioneve të veprojnë menjëherë sipas konkluzave të Qeverisë
Sports

Zëdhënësja Venera Azizi: Mbeturinat në Shkup, i bëjmë thirrje institucioneve të veprojnë menjëherë sipas konkluzave të Qeverisë

Shkup, 21 tetor – Në lidhje me problemin e mbledhjes dhe transportimit të mbeturinave komunale në territorin e Qytetit të Shkupit, Qeveri në mbledhjen e sotme ka Obliguar Inspektoratin Shtetëror Komunal, Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, sipas kompetencave të tyre ligjore, që menjëherë të fillojnë mbikëqyrje të koordinuar inspektuese të jashtëzakonshme në territorin e Qytetit të Shkupit, me qëllim të konstatimit të situatës me mbeturinat komunale dhe lloje të tjera të mbeturinave dhe ndërmarrjen e masave dhe veprimeve të përshtatshme. Kështu ka deklaruar pët Televizionin Alsat zëdhënësja e Qeverisë Venera Azizi. Ajo ka informuar edhe se gjithashtu, obligohet edhe Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ndërsa u bëhet thirrje sektorit të inspektoratit të Qytetit të Shkupit, që të veprojnë sipas kompetencave ligjore dhe të shqyrtojnë punën e NP Higjiena Komunale-Shkup dhe të kryetarit të Qytetit të Shkupit lidhur me mosmbledhjen e mbeturinave komunale, e cila shkakton rrezik për shëndetin e njerëzve. “Situata është alarmante dhe megjithëse kompetenca është e Qytetit të Shkupit, për shkak të mosveprimit të vazhdueshëm, i bëjmë thirrje institucioneve të veprojnë menjëherë sipas konkluzave të Qeverisë”, tha Azizi.

Pandov: Një i dënuar i kushton shtetit rreth 1.000 euro në muaj, sillen sikur janë në hotel

Pandov: Një i dënuar i kushton shtetit rreth 1.000 euro në muaj, sillen sikur janë në hotel

Shkup, 21 tetor – Në burgjet e Maqedonisë aktualisht ka rreth 430 të dënuar me trajtim A dhe 340 me trajtim B2, bëri të ditur drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov. “Jo të gjithë, por shumica e këtyre të dënuarve mund të jenë në lirimin me kusht, natyrisht me rekomandim paraprak nga sektori për resocializim dhe nga drejtorët e burgjeve”, tha Pandov gjatë takimit të punës me temë “Probacioni dhe lirimi me kusht”. Në takim morën pjesë edhe drejtoresha e Akademisë, Irina Trajkoska-Strezoski, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, si dhe gjyqtarë dhe kryetarë gjykatash që merren me çështje të këtij lloji. Pandov theksoi se sistemi i probacionit në Maqedoni ekziston prej gjashtë vitesh, por ende nuk shfrytëzohet sa duhet. “Një i dënuar i kushton shtetit rreth 1.000 euro në muaj. Një numër i madh prej këtyre 750 personave na kushtojnë shumë si shoqëri, e ndërkohë sillen sikur janë në hotel – ne i ushqejmë dhe i ruajmë,” shtoi Pandov. Aktualisht, mbi 900 persona janë nën masa probacioni, ndërsa ekzistojnë më shumë se 100 kërkesa për ndërprerje të tyre, kryesisht për shkak të mosrespektimit të detyrimeve nga ana e të dënuarve.