Një tjetër skandal trondit nga themelet futbollin në Turqi.
Këtë herë në qendër të tij janë arbitrat, ose në sakte pjesa më e madhe e trupës arbitrare.
Në një konferencë urgjente për mediat, presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Ibrahim Haxhiosmanollu, ka zbuluar një hetim, ku sipas tij ka rezultuar se pjesa më e madhe e arbitrave luanin baste në platforma të paligjshme. Hetimi i zhvilluar në bashkëpunim me autoritet turke të sigurisë ishte tronditës, pasi 371 nga 571 anëtarët e trupës arbitrare të federatës kishin llogari në platforma të paligjshme të basteve on-line. Nga këto, 152 ishin ende aktive, cka do të thotë se përdoruesit vijonin të vendosnin baste.
Ky skandal ka prekur të gjitha kategoritë e futbollit në Turqi. Shtatë arbitra kryesorë dhe 15 asistentë që drejtojnë ndeshjet e Superligës kanë gjithashtu llogari aktive në këto platforma.
Sipas presidentit të federatës turke, Haxhiosmanollu, ndaj të gjithë arbitrave të përfshirë do të merren masa disiplinore, ndërsa autoritet e drejtësisë do të bëjnë punën e tyre.
Kjo nuk është hera e parë që futbolli turk përfshihet në skandale, por asnjëherë më parë në të tilla nivele dhe përmasa./abcnews.al