Articles by Megi

3 articles found

Qytetet më miqësore në botë në 2025

Qytetet më miqësore në botë në 2025

Në botën e udhëtimeve, mikpritja shpesh vlen po aq sa bukuria e një vendi. Në Çmimet e Lexuesve 2025, lexuesit e medias Conde Nast Traveller zgjodhën dhjetë qytetet më miqësore në botë, ato që të bëjnë të ndihesh si në shtëpi, pavarësisht gjuhës apo kulturës. Nga qytetet historike të Azisë deri te metropolet e ndritshme të Europës e Oqeanisë, kjo renditje përmbledh destinacionet ku buzëqeshjet janë pjesë e përditshme. Në vendin e dhjetë renditet Kioto në Japoni, qyteti i tempujve, sakurave dhe mikpritjes tradicionale japoneze, ku respekti dhe rregullat e mirësjelljes janë pjesë e kulturës. Më tej, në vend të tetë ndajnë pikët Edinburgu dhe Lisbona: kryeqyteti skocez i festivalit “Fringe” dhe atmosferës së gëzueshme, dhe metropoli portugez që pret vizitorët me ndjenjën e ngrohtë familjare, rrugicat me pllaka karakteristike dhe tingujt nostalgjikë të fados. Në vendin e shtatë gjendet Sidnej, simbol i stilit të lirë australian dhe i buzëqeshjeve pa stres që të ndjekin nga plazhet në baret buzë oqeanit. Vetëm pak më sipër është Melburni, më artistik dhe më europian në shpirt, me kafene plot jetë, rrugë me arte murale dhe njerëz të thjeshtë që e bëjnë qytetin një nga më të jetueshmit në botë. Në vendin e katërt ndajnë podiumin Firence dhe Singapori. Qyteti italian i artit dhe kulturësmbetet një nga më mikpritësit në Europë, ndërsa metropoli aziatik, me pastërtinë, sigurinë dhe qytetarinë e tij të admirueshme, tregon se mikpritja mund të bashkëjetojë me modernitetin. Kepi i Shpresës së Mirë, ose Cape Town, ngjitet në vendin e tretë. Me kombinimin mahnitës të detit, maleve dhe kulturave, qyteti afrikan spikat për atmosferën plot gjallëri dhe për njerëzit e tij plot energji e shpresë, që shohin përtej plagëve të historisë. Në vend të dytë renditet Vjena, qyteti i muzikës dhe elegancës, ku ndërthurja e pallateve baroke me kafene të ngrohta pasqyron po aq mirë karakterin e njerëzve të saj: të kulturuar, të përzemërt dhe të qetë. Fituesi surprizë i vitit 2025 është Kito, kryeqyteti i Ekuadorit. I vendosur mes Andeve, ky qytet me rrugë koloniale, kisha të arta dhe frymë të gjallë artistike, u vlerësua për autenticitetin dhe ngrohtësinë e banorëve të tij. Një nga qytetet më të vjetra të Amerikës së Jugut dhe një nga të parat të shpallura trashëgimi botërore nga UNESCO, Kito mishëron mikpritjen që sfidon kufijtë kulturorë. Renditja e qyteteve më miqësore në botë (2025): Kito, EkuadorVjenë, AustriCape Town, Afrikë e JugutFirence, ItaliSingaporMelburn, AustraliSidnej, AustraliEdinburg, SkociLisbonë, PortugaliKioto, Japoni

Dhjetë vendet më të mira për nomadët dixhitalë, shtatë prej tyre në Europë
Technology

Dhjetë vendet më të mira për nomadët dixhitalë, shtatë prej tyre në Europë

Europa po udhëheq renditjen globale për punonjësit në distancë, teksa mënyra e jetesës së “nomadëve dixhitalë” po bëhet gjithnjë e më popullore. Pas pandemisë, miliona njerëz kanë braktisur zyrat tradicionale për karriera virtuale që u japin më shumë liri dhe fleksibilitet. Qeveritë po ndjekin trendin me programe të posaçme vizash dhe qëndrimi për tërheqjen e profesionistëve. Sipas raportit të Global Citizen Solutions, që analizoi 64 vende në bazë të kohëzgjatjes së vizës, kërkesave për të ardhura dhe mundësive për qëndrim të përhershëm, shtatë nga dhjetë vendet më të mira ndodhen në Europë. Vendet europiane, thuhet në raport, “ofrojnë siguri, institucione të qëndrueshme dhe rrugë drejt shtetësisë”, duke i bërë tërheqëse për profesionistët globalë. 10 vendet më të mira për nomadët dixhitalë në 2025: SpanjaHolandaUruguaiKanadajaÇekiaPortugaliaFrancaEmiratet e Bashkuara ArabeGjermaniaMalta Spanja renditet e para falë vizës së saj për nomadët dixhitalë, që u lejon të huajve të punojnë për kompani jashtë vendit, por edhe deri në 20% për kompani spanjolle. Ajo ofron shpejtësi të lartë interneti, cilësi të mirë jetese dhe rrugë të drejtpërdrejtë drejt shtetësisë, vetëm dy vjet për qytetarët e disa vendeve. Spanja është gjithashtu më e përballueshme se shumë vende të Europës Veriore, sidomos në qytetet dytësore. Për aplikim kërkohet diplomë universitare ose tre vite përvojë pune, të ardhura mbi 200% të pagës minimale, sigurim shëndetësor dhe dëshmi penaliteti të pastër. Holanda vjen e dyta falë lejes së vetëpunësimit që jep akses në qëndrim të përhershëm. Edhe pse ka tatim global, vendi kompenson me cilësi shumë të lartë jetese dhe infrastrukturë moderne. Çekia renditet e pesta, duke u dalluar si qendër e fortë për profesionistët në distancë në Europën Qendrore, me standarde të larta jetese dhe kosto të moderuar. Ajo është ndër të paktat që ofron rrugë të drejtpërdrejtë drejt shtetësisë përmes vizës për nomadët dixhitalë. Portugalia është e gjashta me programin D8 për “punonjësit në distancë”, që ofron vizë afatshkurtër ose leje qëndrimi, me kosto të ulët jetese dhe përfitime tatimore për profesionistët e huaj. Franca, ndonëse me kosto të lartë jetese dhe pa rrugë të drejtpërdrejtë për shtetësi, vlerësohet për cilësinë e jetës, shpejtësinë e internetit dhe transportin efikas. Gjermania zë vendin e nëntë me “Freelance Visa” e prezantuar në vitin 2021, që lejon qëndrim deri në tre vjet dhe mundësi për qëndrim të përhershëm pas pesë vitesh. Vendi ofron stabilitet dhe infrastrukturë të fortë për profesionistët globalë. Malta, ndonëse e vogël, përfshihet në dhjetëshen më të mirë falë internetit të besueshëm, kujdesit shëndetësor cilësor dhe stabilitetit social. Anglishtja si gjuhë zyrtare e bën atë veçanërisht tërheqëse për profesionistët ndërkombëtarë. Europa po shndërrohet kështu në epiqendër të punës dixhitale, duke ofruar një kombinim unik të sigurisë, infrastrukturës dhe mundësive afatgjata për një mënyrë jetese fleksibël dhe globale. / Euronews

E ardhmja e prezantimeve do të sjellë më pak faqe, por më shumë kuptim

E ardhmja e prezantimeve do të sjellë më pak faqe, por më shumë kuptim

PowerPoint nuk është thjesht një mjet prezantimi; është një mjet komunikimi. Qëllimi nuk është të mbushim slide-t, por të përqendrohemi në mesazhin kryesor. Në shumë organizata, prezantimet janë kthyer në rituale të pafund me dhjetëra slide plot me numra, por me pak kuptim. Njerëzit flasin për “të dhëna të shumta dhe njohuri të pakta”, dhe mënyra si komunikohen idetë përmes PowerPoint-it është një nga arsyet kryesore. Shumë drejtues e barazojnë sasinë e faqeve me seriozitetin e përgatitjes, ndërsa prezantimet e tejzgjatura dhe të mbushura me tekst krijojnë lodhje dhe vështirësojnë kuptimin e mesazhit. Studimet e psikologut amerikan Richard Mayer tregojnë se përsëritja e fjalëve të folura si tekst në ekran nuk ndihmon publikun, përkundrazi e ngarkon mendërisht dhe e bën më të vështirë përthithjen e informacionit. Ndërkohë, një anketë me mbi 1,000 punonjës në Gjermani tregoi se ata shpenzojnë rreth 20 orë në muaj për prezantime, nga të cilat tetë orë vetëm për formatimin, kohë që rrallë kthehet në vlerë reale për organizatën. Problemi nuk është mjeti në vetvete, por mënyra si përdoret. PowerPoint mund të jetë një mjet i fuqishëm komunikimi nëse fokusohet tek ideja kryesore dhe mesazhi që duhet të mbërrijë te audienca. Një prezantim i mirë nuk është çështje dizajni apo efektesh vizuale, por qartësie, empatie dhe pranie. Siç vëren ekspertja e komunikimit Nancy Duarte, shumica e drejtuesve nuk kanë mungesë teknikash, por mungesë lidhjeje të sinqertë me atë që duan të përcjellin. Prezenca është ajo që e kthen një fjalim të zakonshëm në komunikim të vërtetë dhe që ndihmon në ndërtimin e besimit dhe ndikimit. Në vend që të mbushin faqe me grafikë e tabela, drejtuesit duhet të sjellin përvojat e njerëzve të vërtetë, të punonjësve, klientëve apo partnerëve, sepse pas çdo statistike fshihet një histori. Të dhënat tregojnë çfarë po ndodh, por tregimet shpjegojnë pse. Amazon, për shembull, e ka zëvendësuar formatin tradicional të slide-ve me memorandume narrative, të cilat lexohen përpara diskutimeve për të nxitur reflektim dhe koherencë. Kjo qasje nxit mendimin e thelluar dhe shndërron prezantimin në një proces kuptimi, jo thjesht në një raportim. E ardhmja e prezantimeve po lëviz drejt formateve më bashkëpunuese dhe interaktive. Në vend të monologëve të njëanshëm, do të mbizotërojnë bisedat që ndërtojnë mirëkuptim, me më shumë përfshirje të audiencës, pyetje në kohë reale dhe përdorim të mjeteve dixhitale për mendim të përbashkët. Prezantimet do të bëhen më të personalizuara, me përmbajtje që përshtatet sipas interesit të dëgjuesve, duke përdorur mjete të inteligjencës artificiale për të thjeshtuar anën teknike dhe për të lënë njerëzit të fokusohen te përmbajtja dhe ndjenja. Në vend të slide-ve të mbushura me informacion, dizajni minimalist do të ndihmojë çdo faqe të përcjellë një ide të vetme, të qartë dhe të kuptueshme. Prezantimet nuk do të përfundojnë më me mbylljen e takimit, por do të shndërrohen në dokumente të gjalla që ushqejnë dialogun e mëtejshëm dhe ndihmojnë në marrjen e vendimeve. Në thelb, prezantimet e së ardhmes nuk do të matin suksesin me numrin e slide-ve apo me efektet grafike, por me aftësinë për të nxitur mendim, bashkëpunim dhe veprim. Kur të dhënat bashkohen me historinë, kur drejtuesit flasin me qartësi dhe prani, atëherë informacioni merr kuptim, edhe komunikimi bëhet mjet i vërtetë udhëheqjeje. / Forbes